Ballina Ekonomi

Rritja e kredisë për sektorin privat ndikim në investime

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Politika monetare stimuluese ka kontribuar nëpërmjet uljes së kostos së huamarrjes dhe rritjes së kreditimit në ekonomi.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, normat e interesit të kredisë për bizneset dhe individët kanë mbetur në nivele të ulëta dhe kursi i këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore ka qenë i qëndrueshëm.

Në kushtet e favorshme financiare, BSH-ja evidenton rritje të kërkesës dhe përmirësim të kushteve të ofertës, që kanë nxitur zgjerimin e portofolit të kredisë për sektorin privat.

“Ky portofol shënoi një rritje mesatare rreth nivelit 9.9 % gjatë tremujorit të katërt, çka përbën dhe vlerën më të lartë të këtij treguesi prej vitit 2011. Kredia bankare i ka shërbyer financimit të konsumit e të investimeve dhe mbulimit të nevojave për likuiditet, si të bizneseve dhe të familjeve. Kredia në lekë ka mbajtur ritme relativisht të larta rritjeje, duke pasqyruar efektivitetin e politikës monetare dhe duke zbutur rreziqet e kursit të këmbimit në stabilitetin financiar”, theksoi BSH-ja.

Banka Qendrore shprehet optimiste se trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të kredisë sugjerojnë një ecuri të mirë të saj edhe në të ardhmen.

“Këto pritje mbështeten nga kërkesa e lartë, bilancet e shëndosha të sektorit bankar, kushtet e lehtësuara të kreditimit dhe, në veçanti, ulja e rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia e mëtejshme – në nivelin 5.65 % – e raportit të kredive me probleme në fund të dhjetorit 2021”, theksoi BSH-ja.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakForcat Speciale, stërvitje 72-orëshe në kushte ekstreme moti në Voskopojë
Artikulli tjetërUASHINGTON – SHBA vendos kufizime vizash për shumë shtetas bjellorusë