TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Politika monetare stimuluese ka kontribuar nëpërmjet uljes së kostos së huamarrjes dhe rritjes së kreditimit në ekonomi.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, normat e interesit të kredisë për bizneset dhe individët kanë mbetur në nivele të ulëta dhe kursi i këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore ka qenë i qëndrueshëm.
Në kushtet e favorshme financiare, BSH-ja evidenton rritje të kërkesës dhe përmirësim të kushteve të ofertës, që kanë nxitur zgjerimin e portofolit të kredisë për sektorin privat.
“Ky portofol shënoi një rritje mesatare rreth nivelit 9.9 % gjatë tremujorit të katërt, çka përbën dhe vlerën më të lartë të këtij treguesi prej vitit 2011. Kredia bankare i ka shërbyer financimit të konsumit e të investimeve dhe mbulimit të nevojave për likuiditet, si të bizneseve dhe të familjeve. Kredia në lekë ka mbajtur ritme relativisht të larta rritjeje, duke pasqyruar efektivitetin e politikës monetare dhe duke zbutur rreziqet e kursit të këmbimit në stabilitetin financiar”, theksoi BSH-ja.
Banka Qendrore shprehet optimiste se trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të kredisë sugjerojnë një ecuri të mirë të saj edhe në të ardhmen.
“Këto pritje mbështeten nga kërkesa e lartë, bilancet e shëndosha të sektorit bankar, kushtet e lehtësuara të kreditimit dhe, në veçanti, ulja e rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia e mëtejshme – në nivelin 5.65 % – e raportit të kredive me probleme në fund të dhjetorit 2021”, theksoi BSH-ja.
/j.p/r.e/
