PARIS, 4 tetor /ATSH-AFP/ – Facebook dhe platformat e tij, Instagram, WhatsApp dhe Messenger janë globalisht jashtë shërbimit.
Aplikacionet Facebook, Messenger, WhatsApp dhe Instagram janë ndërprerë sot pasdite vonë dhe ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë.
“Mijëra përdorues nuk kanë më qasje në shërbimet e tyre”, konfirmoi faqja Downdetector.com.
Faqja e specializuar njoftoi se ka marrë më shumë se 20 000 raportime incidentesh nga përdoruesit, që nuk kishin qenë në gjendje të lidheshin me aplikacione të ndryshme.
Ekspertët e sigurisë, që po ndjekin situatën, thanë se ndërprerja ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një gabim në konfigurim që i ka bërë të padisponueshëm drejtimet për në serverët e Facebook.
Ky mund të jetë rezultat i një gabimi të brendshëm, megjithëse sabotimi nga një i brendshëm do të ishte teorikisht i mundur.
Një piratim i jashtëm duket si më pak i mundshëm.
Një sulm masiv i mohimit të shërbimit, që mund të pushtojë një rrjetet më të njohura në botë, nga ana tjetër, do të kërkonte ose koordinim midis grupeve të fuqishme kriminale ose një teknikë shumë novatore.
Facebook pranoi se përdoruesit kishin probleme me qasjen në aplikacionet e tij, por nuk dha ndonjë specifikë në lidhje me natyrën e problemit ose se sa ishin prekur nga ndërprerja.
“Ne po punojmë për t’i kthyer gjërat në normalitet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim”, shkroi Facebook në Twitter, rreth 30 minuta pas raportimeve të para të ndërprerjes.
Përgjigjja e Facebook u bë shumë më e vështirë, sepse punonjësit humbën qasjen në disa nga mjetet e tyre gjatë ndërprerjes, sipas burimeve në ndjekje të çështjes./ /ervo/






















