Faza e dytë e rehabilitimit të lumit Gjanica, Subashi: Ripërtëritje urbane e Fierit

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Rehabilitimi i segmentit të dytë të lumit Gjanica do të plotësojë më tej mozaikun e transformimit urbanistik që po ndodh në qytetin e Fierit.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi solli sot pamje nga punimet në segmentin e dytë të rehabilitimit të lumit.

“Në një tjetër kantier ndërtimi sot, rikualifikimi dhe sistemimi i lumit Gjanica, faza e dytë.
Investimi i qeverisë shqiptare, nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të sjellë impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës në qytet”, tha Subashi.

Ai theksoi se rehabilitimi i segmentit të dytë të lumit Gjanica do të sjellë ripërtëritje urbane, si dhe qëndrueshmëri të zhvillimit mjedisor, ekonomik e kulturor.

Më e rëndësishmja, sipas Subashit, është rikthimi i lumit Gjanica në karakterin e tij natyror.

Projekti është në vijimësi të projektit për rikonceptimin e qendrës së qytetit dhe të ndërtimit të Pallatit të Sportit të lojërave me dorë, ku përfshihet rehabilitimi i lumit Gjanica.

Ky projekt synon të rikthejë lumin Gjanica në një nga asetet natyrore më të rëndësishme të zonës urbane të qytetit të Fierit, ndërsa në kuadër të tij u rikonceptua edhe sheshi qendror, i cili i mungonte qytetit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.