TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Çmimet e produkteve të importit në tremujorin e dytë të vitit 2021 shënuan rritje me 1,7 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2020. Krahasuar me tremujorin e parë 2021 çmimet u rritën me 0,4 %.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT sot, çmimet e importit të produkteve në grupin “energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” shënuan rritje me 9,7 %.
Në grupin “industria përpunuese” që ka edhe peshën më të madhe prej 94 %, shënoi një rritje me 1,4 %.
Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 5 %, pasuar nga aktivitetet “shtypshkrimi dhe rigrupimi i medieve të regjistruara” me 4,4 %, “metalurgjia” me 3,5 %, “prodhimi i produkteve të duhanit” me 2,3 %, etj.
Nga ana tjetër, çmimet në aktivitetin “prodhimi i mjeteve të tjera të transportit” kanë shënuar ulje me 1,1 %, pasuar nga “prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 0,8 %, “përpunimi i tekstileve” me 0,7 %, etj.
/r.e/























