Conference League/ Teuta dhe Laçi pësojnë humbje në ndeshjet e para

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ “Teuta” dhe “Laçi” pësuan humbje në ndeshjet e para të vlefshme për turin e tretë të UEFA Conference League.

“Teuta” e Durrësit nuk ia doli të shmangte humbjen ndaj “Shamrock Rovers” në transfertën e zhvilluar në “Tallaght Stadium” të Dublinit, pasi pësoi gol në kohën shtesë.

Ndeshja përfundoi 1-0, ku vendosi goli i 17-vjeçarit Emahku, i aktivizuar në minutën e 83-të.

Kjo humbje gjithsesi i mban të hapura shpresat për durrsakët e drejtuar nga trajneri Edi Martini, për një përmbysje të rezultatit në ndeshjen e ardhshme.

Ndërsa kualifikimi për skuadrën e “Laçit” në “play off”-in e Conference League duket shumë i vështirë, pas humbjes 0-3 në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në “Elbasan Arena”  ndaj belgve të “Anderleht”.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro pësoi gol që në minutën e 26-të ku pas një goditje këndi, Delcroix devijoi me gju topin për në rrjetë, 0-1.

Pa u mbyllur pjesa e parë, sërish nga këndorja lindi goli i dytë i belgëve, këtë herë i shënuar nga Hoedt.

Në pjesën e dytë blegët e “Anderlehtit” arritën të trefishojnë rezultatin me anë të Refaelov, i cili shënoi në minutën e 61-të.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.