TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Temperaturat e larta të ditëve të fundit në vendin tonë kanë aktivizuar vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
Prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni në një prononcim sot për ATSH-në, tha se “në qarkun Shkodër kemi disa vatra zjarri dhe aktualisht forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e plotë dhe shuarjen e tyre”.
Angoni tha se “në zonën e malit të Cukalit në njësinë administrative Shllak të bashkisë së Vaut të Dejës, aktivizimi i një vatre zjarri po shkon drejt izolimit. Ndërsa në Fushë-Arrëz -Pukë, grupet e zjarrfikëseve po punojnë për izolimin e një tjetër vatre zjarri”.
Angoni theksoi se Prefektura e Qarkut Shkodër, është në bashkëveprimin të vazhdueshëm me strukturat përkatëse për menaxhimin e çdo situate emergjente të mundshme që mund të përballemi gjatë këtyre ditëve të nxehta.
“Të gjitha strukturat vendore në Malësinë e Madhe, Vaun e Dejës dhe Pukë, zona ku janë shfaqur vatrat e zjarrit, janë angazhuar dhe po monitorojnë intensivisht territoret e tyre të përgjegjësisë për rastet e rënies së zjarrit, me qëllim parandalimin dhe izolimin e tyre”, bëri të ditur Angoni për ATSH-në.
/r.e/























