Ballina Aktualitet

Komisioneri Publik ankimon në KPA vendimin e KPK-së për Elizabeta Imeraj

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Komisioneri Publik ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Elizabeta Imeraj me detyrë prokurore/ Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në një njoftim të publikuar sot nga Komisoneri Publik thuhet se, “Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Elizabeta Imeraj me detyrë prokurore/ Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.

“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”, theksohet në njoftim.

“Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit,  Elizabeta Imeraj”, vijon njoftimi.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVënia në kontroll e zjarrit në pyllin e pishave në Vithkuq/ Peleshi: Minimizim i dëmeve mjedisore nga zjarret
Artikulli tjetërGREQI – Mitsotakis: Mesazhi për një verë të sigurt është vaksinimi kundër COVID-19