Ballina Ekonomi

Miratohet financimi i rikonstruksionit të dy rrugëve në zonën e re për zhvillim të Durrësit

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 400 276 890 lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4 në bashkinë e Durrësit, të cilat shërbejnë si rrugë lidhëse me aksin kryesor të rrugës “Azem Hajdari”.

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave vendosi që Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 280 055 378 lekë pa TVSH, nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë, për financimin e rikonstruksionit të rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”.

Po ashtu u vendos caktimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për rikonstruksionin e rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4, Njësia Administrative Durrës, bashkia Durrës.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi. /k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMegi Fino emërohet zv.ministre e Jashtme, lirohen nga detyra Etjen Xhafaj dhe Petro Koçi
Artikulli tjetërMiratohet memorandumi i mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe SHBA për sigurinë 4G dhe 5G