Ballina Ekonomi

Ritme të larta punimesh në bajpasin e Vlorës/ Kreu i ARRSH-së, Berberi: Synojmë hapjen gjatë këtij sezoni turistik

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi inspektoi sot ecurinë e punimeve në bajpasin e Vlorës.

Sipas Berberit, puna në këtë kantier vazhdon me ritme shumë të larta në të gjithë gjatësinë, me qëllim që kjo arterie të bëhet e aksesueshme për qarkullimin e automjeteve gjatë këtij sezoni turistik, duke e lehtësuar ndjeshëm lëvizjen drejt jugut.

Deri tani ka përfunduar shtresa e parë asfaltike në pothuajse 20 km të projektit, ndërtimi i 2 urave, dhe po punohet intensivisht në urën nr. 4.

Gjithashtu, kanë përfunduar të gjitha rrethrrotullimet dhe po vazhdon puna për ndriçimin dhe pajisjen e tyre me sinjalistikën e nevojshme.

Bajpasi i Vlorës me një gjatësi prej 29 kilometrash, ka 5 ura, si dhe 15 rrethrrotullime, të cilat do ndihmojnë lehtësimin e trafikut në këtë aks rrugor.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Cavusoglu: Axhendë pozitive në takimin Erdogan-Biden
Artikulli tjetërZaev: Plani ekonomik i BE-së për Ballkanin Perëndimor siguron bashkëpunim dhe rimëkëmbje