Ballina Bota

Zaev: Plani ekonomik i BE-së për Ballkanin Perëndimor siguron bashkëpunim dhe rimëkëmbje

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ – Plani ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor mbështet rimëkëmbjen afatgjatë ekonomike të rajonit, njëkohësisht duke nxitur integrimin rajonal, theksoi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në fjalimin e tij në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvilluan në Tiranë, sipas MIA-s.

“Zbatimi i Planit do të stimulojë aktivitetin ekonomik, do të rrisë investimet në sektorin privat dhe publik, do të përforcojë konkurrencën dhe inovacionet, veçanërisht në kompanitë e vogla dhe të mesme”, shtoi ai.

“Plani ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor ka potencial të fuqishëm për mbështetjen e lidhjeve kryesore rrugore dhe hekurudhore”, theksoi Zaev.

“Vullneti ynë është nxitja e zhvillimit të kapaciteteve me energji të ripërtërishme dhe kalim nga qymyri në burime të ripërtërishme të energjisë, rritje të efikasitetit energjetik, ulje të emetimeve të gazeve me efekt serrë dhe përmirësimin e infrastrukturës për menaxhim me ujërat e zeza. Gjatë këtyre periudhave sfiduese, të gjitha vendet nga rajoni punojnë në vendosjen e tregut të përbashkët rajonal”, theksoi kryeministri Zaev.

Ai shtoi se ky është një model i suksesshëm për motivimin e rajonit për të filluar nisma të reja rajonale të kahëzuara drejt afrimit të Ballkanit Perëndimor deri në tregun e brendshëm të BE-së.

“Digjitalizimi ka një rol qendror në modernizimin e ekonomive, integrimin e mëtejshëm të ekonomisë digjitale të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm digjital të BE-së, duke e bërë rajonin një zonë më tërheqëse të investimeve, nënvizoi Zaev.

“Harmonizimi i ngushtë i rregulloreve të Ballkanit Perëndimor me parimet themelore që rregullojnë tregun e brendshëm të BE-së, bazuar në qasjen e katër lirive përmes marrëveshjeve për njohje reciproke, do të zhvillojë mundësitë për punësim sepse liberalizimi i tregtisë, rrjedha e kapitalit dhe lëvizshmërisë do të sjellin zgjerimin e tregut. Plani ekonomik dhe investues do ta bëjë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj dhe do të mundësojë më shumë investime”, shtoi ai./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRitme të larta punimesh në bajpasin e Vlorës/ Kreu i ARRSH-së, Berberi: Synojmë hapjen gjatë këtij sezoni turistik
Artikulli tjetërBM – Biden dhe Johnson prezantojnë Kartën e re Atlantike