TIRANË, 8 maj/ATSH/ Njëzet e katër orëshi i parë pas datës 8 mars 2020 që në Shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve Infektive në QSUNT, nuk është paraqitur asnjë i sëmurë me Covid-19.
Lajmi u bë i ditur nga mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo, i cilit thekson se “e fituam këtë betejë me “flamën mbarëbotërore”, Pandeminë nga Sars-Cov2/Covid-19.Shpejt për të folur me siguri, por kryesorja është se jemi në udhë të mbarë për të dalë nga tuneli i gjatë, ku po ecim prej 14 muajsh që nga mbrëmja e 8-9 Marsit 2020”.
“Kemi ende plot të sëmurë në gjendje të rëndë në mjediset spitalore, po ashtu dhe jo pak të sëmurë që mjekohen në banesat e tyre…. Kemi humbur qindra e mijëra të afërt, miq e shokë. Kemi kaluar e po kalojmë momente shumë të trishta, por ne nuk jemi dorëzuar. Vetndërgjegjësimi dhe vetkujdesja kurrë të mos na zbehet dhe të na mungojë edhe pas sodit…MHD ( Masak, Higjena personale dhe kolektive, Distancimi fizik) mbeten shumë të efektshme në këtë betejë me armikun e padukshëm”, – nënvizoi Kalo
Mjeku Kalo shprehet se “vaksinimi po na ndihmon që të dalim sa më shpejt nga ky tunel, ndaj mos nguroni të vaksinoheni ndaj infeksionit Sars-Cov2/Covid-19. Mendjeçarturit e gojështhururit kundër aplikimit të vaksinës kurrë nuk do të mbyllen, por nga shekujt populli na rikujton se ”Një gurë hedh budallai në lumë, e duhen 1000 të mençur për ta gjetur e nxjerrë atë nga ai”. Duajeni dhe respektojeni sa më shumë veten si dhe ata që gjallojnë rreth jush”.
“Ne mantelbardhët dhe stafi tjetër mjekësor jemi kurdoherë këtu në vijën e parë për t’u kujdesur dhe ndihmuar në përballjen tuaj me virusin jetë lëndues dhe jetë marrës të Sars-Cov2/Covid-19.Koha po punon për ne, që edhe me kujdesin e pa munguar ndaj vetvetes, të mundemi t’i gëzojmë sa më mirë bukuritë e këtyre viseve të së bekuarës nënëlokes Shqipëri”, – thotë Kalo.
/k.s/























