TIRANË, 8 maj /ATSH – I. Vata- Presidenti Ilir Meta në Ditë Ndërkombëtare të Talasemisë ka apeluar qytetarët që të bëhen pjesë e dhurimit të gjakut për të shpëtuar jetën e fëmijëve talasemikë.
Presidenti Meta shprehet se “Dita Ndërkombëtare e Talasemisë, na fton të gjithëve për të ndërgjegjësuar më shumë qytetarët dhe vendimmarrësit rreth kësaj sëmundjeje, për të ndërmarrë nisma me qëllim parandalimin, menaxhimin dhe kurimin e saj, si dhe në veçanti për të shtuar përpjekjet në ndihmë të pacientëve dhe fëmijëve, që vuajnë, për të jetuar normalisht.
“Është përgjegjësi e të gjithëve ne të eliminojmë pabarazitë shëndetësore dhe t’u ofrojmë të sëmurëve talasemikë, një jetë shoqërore cilësore, të denjë dhe të mirëintegruar, pa u stigmatizuar dhe margjinalizuar, apo më keq akoma, të vuajnë nga mungesa e gjakut të mjaftueshëm dhe të sigurt për nevojat e tyre jetësore. Tashmë, që kemi një situatë më të qetë me pandeminë, me vaksinimin e një pjese të popullsisë, si dhe me imunizimin e një pjese tjetër, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht të rinjve e të rejave të bashkohen me kauzën e dhurimit të gjakut. Mjaftojnë vetëm 10 minuta për të dhuruar gjak dhe mbi të gjitha për të shpëtuar jetën e fëmijëve talasemikë. Krenar dhe falenderues për rolin e jashtëzakonshëm të luajtur për këtë qëllim, veçanërisht për sensibilizimin frymëzues, që “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” ka luajtur në këto vite, për solidarizimin me kauzën humane dhe fisnike të dhurimit të gjakut”, shprehet ai.























