“Vaksinat kanë sjellë efekt shumë pozitiv”/ Jemi duke dalë nga situata, por nuk jemi ende komplet jashtë rrezikut

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vaksinat kanë sjellë një efekt shumë pozitiv në situatën e pandemisë.

I pyetur në një intervistë televizive për fushatën, Rama tha se, “është fushata më e vështirë, më e çuditshme dhe më sfiduese sepse zhvillohet në kushte shumë të veçanta për shkak të situatës edhe pse jemi duke dalë nga situata, por nuk jemi ende komplet jashtë rrezikut edhe jashtë vështirësive të jashtëzakonshme që ka përballja me virusin. Dhe kjo e bën fushatën shumë shumë të vështirë dhe shumë të çuditshme”.

“Ashtu sikundër është shumë e qartë për mua që njerëzve u ka ardhur në majë të hundës nga ky vit e ca në këtë tunel, me ankth e me vështirësi, e me shtrëngesa sa që vaksinat kanë sjellë një efekt shumë pozitiv, por njëkohësisht, kanë sjellë dhe një efekt tjetër që duket sikur kjo iku, kjo mbaroi, kjo s’ekziston më dhe tani çfarë vjen mbrapa. Dhe kjo është sfida jonë, çfarë vjen mbrapa në fakt”, tha Rama.

I pyetur në lidhje me deklaratën e kandidates për deputete Luljeta Bozo në lidhje me komunizmin dhe Enver Hoxhën, Rama tha se, “për hir të së vërtetës unë për shkak se më është bërë kjo pyetje se nuk e kam ndjekur e ndoqa atë intervistë nga ku është nxjerrë ky përfundim nëpër media dhe mendoj se është nxjerrë jashtë kontekstit për arsye se zonja Luljeta, po fliste për profesionalizmin, për profesionistët, shkencëtarët, shkencën etj. etj”.

“Dhe besoj që referenca e saj lidhej me këtë fakt, nuk lidhej me asnjë prirje për të amnistuar krimet e komunizmit. Gjë të cilën ajo pastaj e tha shumë qartë edhe vetë që ‘nuk më shkon ndërmend që të mendoj se mund të amnistohen krimet e komunizmit”, u shpreh Rama.

I pyetur nëse i dënon krimet e komunizmit, Rama tha, “unë jam shumë krenar me faktin që PS është partia që ka bërë ligjin për hapjen e dosjeve, që ka ngritur një institucion që faktikisht po bën një punë shujmë të thelluar mbi dosjet e komunizmit, që i ka dhënë mundësinë të gjithëve që të aksesojnë dosjet dhe të shohin për rastet e tyre konkrete se si e qysh ka ndodhur për ta vetë dhe çfarë ka në dosjet e tyre. Flas për njerëzit që kanë vuajtur komunizmin”.

“Dhe nga ana tjetër unë mendoj që antikomunizmi i vërtetë dhe produktiv në këtë fazë të historisë sonë pas shembjes së komunizmit është pikërisht të bëjmë të gjitha ato reforma dhe transformime, të cilat e vënë frymën e antikomunizmit si frymë lirie në themelin e mënyrës së funksionimit të shtetit, institucioneve të shoqërisë sonë”, u shpreh Rama.

“Unë jam antikomunist dhe jam antifashist. Pra unë jam socialist, i rrugës së tretë,” theksoi kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.