Basha: Thelbi i ndryshimit, hapja e rrugës europiane, ndihmon edhe punësimin, mirëqenien e pagat e larta

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se qëllimi i PD është t’u ofrojë shqiptarëve një qeverisje që sjell ndryshimin.

I pyetur në një intervistë televizive mbi fushatën, Basha tha se, “fushata ime dhe ekipi im ka njё program, i cili vjen si rezultat i kësaj etjeje pёr ndryshim”.

“Kemi mё shumë se 4-5 vite qё i prekim problemet aty ku ndodhin, qё nga brenda shtëpive tё shqiptarëve, tek biznesi i vogël. Nga biznesi fason tek biznesi prodhues. Nga naftëtarët tek minatorët, tek fermerët, tek studentët, tek pedagogët, tek elita intelektuale, tek arti dhe kultura. Dhe nё bazë tё prekjes reale tё problemeve kemi formuluar zgjidhje reale tё këtyre problemeve. Ky ёshtё fakti”, u shpreh Basha.

Basha u shpreh se, “pyetja e vetme që shtrohet para shqiptarëve në këto zgjedhje është: a vazhdohet më edhe 4 vite të tjera kështu si këto 8 vite, me premtime dhe tullumbace elektorale para zgjedhjeve dhe braktisje dhe shkohet në drejtim të kundërt, siç ka shkuar ky kryeministër këto 8 vite? Apo ka ardhur momenti të ndryshojmë? Ajo që unë prek, është një etje për ndryshim që i ka bashkuar shqiptarët si rrallëherë edhe përtej bindjeve politike”.

Nëse nuk mban premtimet, Basha tha se, “nёse angazhimet e marra nё kёtё plan nuk do tё përmbushen, unё nuk do tё kërkoj njё mandat tjetër. Kjo ёshtё pjesë e vendimit dhe mendësisë time europiane pёr njё raport europian tё qytetarit me politikën”.

Basha theksoi se, “qëllimi ynë është t’ju ofrojmë shqiptarëve një qeverisje që sjell ndryshimin. Vendimin për ndryshim, shqiptarët e kanë marrë. Jo tani! Ka kohë! Tani vetëm po thellohet ajo që thashë më parë, tani po depërton edhe në familjen politike të Partisë Socialiste, edhe ata e kuptojnë që kështu nuk shtyhet më, për veten e tyre, për familjet e tyre. Besoj, kam bindjen, edhe për familjen e tyre politike, e kuptojnë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Një parti, e cila duhet të përfaqësojë interesa publike, interesa kombëtare, nuk mund të mbetet peng i një grushti njerëzish, i një përqendrimi kaq ekstrem pushteti, prandaj ajo që vërejmë në javët e fundit, është që bashkimit të madh të shqiptarëve, po i shtohen edhe socialistë, në kuptimin jo thjesht votues, por edhe aktivistë të Partisë Socialiste”.

Basha shtoi se, “në dorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve është të hapim rrugën europiane, që është thelbi i ndryshimit dhe që në vetvete ndihmon edhe prioritetin numër një që është ekonomia: punësimi, mirëqenia, pagat e larta”.

Në lidhje me Reformën në Drejtësi, Basha tha se, “është e qartë që Reforma në Drejtësi, siç u konceptua dhe u mbështet nga partnerët perëndimorë, mbetet në hapat e parë. Angazhimi ynë është ecja përpara me Reformën në Drejtësi sipas kritereve perëndimore që u miratuan në Kushtetutë në korrikun e 2016-ës. Angazhimi ynë kryesor është që politika, e në veçanti qeverisja e ardhshme, t’i mbajë duart larg drejtësisë”.

Për arsimin, Basha tha se, “duke nisur nga 1 shtatori përmes bashkëpunimit me Aleancën e Universiteteve Europiane qeveria ime do të ofrojë 5 gjuhë të huaja, pa pagesë për shqiptarët nën moshën 35 vjeç: anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht dhe spanjisht dhe 20 trajnime profesionale online”.

“Për investimet e huaja është shumë e rëndësishme të trajnojmë rininë shqiptare dhe për vendin është shumë e rëndësishme të sjellim investime të huaja në një ambient me një rini të mirëtrajnuar duke ndalur kështu plagën më të madhe: largimin e rinisë nga vendi”, tha Basha, duke shtuar se, “nuk do të ketë arsimtarë me paga nën 700 euro. Rritja do të fillojë nga viti i parë me 15 % çdo vit për arsimtarët e sistemit parauniversitar”.

Basha theksoi se, “reforma e vërtetë shëndetësore do të ketë në qendër parimin ‘paraja ndjek pacientin’ dhe jo paraja ndjek oligarkun. Paraja ndjek pacientin do të thotë që afër 900 milionë euro që harxhojnë sot shqiptarët në sistemin shëndetësor italian, grek, apo turk, mjaftojnë për të krijuar në Shqipëri institucione të shërbimit shëndetësor që mund të garantojnë si fillim të njëjtën cilësi të shëndetit publik që garantojnë vendet e rajonit”.

Basha u shpreh se, “përballja e 25 prillit është ndërmjet një grushti njerëzish që kërkon të mbajë edhe katër vjet të tjera peng Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët bashkë në një bashkim për ndryshim në të cilin do të fitojë çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare”.

/r.e/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.