TIRANË, 14 mars/ATSH/ Autoritetet shtetërore dhe politike uruan sot qytetarët me rastin e Ditës së Verës, një festë tradicionale që simbolizon ardhjen e pranverës.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi të urojë Ditën e Verës përmes një kënge të njohur me të cilën identifikohet qyteti i Elbasanit, ku edhe festohet më së shumti kjo ditë.
Kryeministri Rama përzgjodhi një kolazh me foto të veçanta që e karakterizojnë këtë festë për qytetin e Elbasanit, qytet në të cilin kremtohet më së shumti 14 Marsi. “Gëzuar Ditën e Verës”, shprehet Rama.
Meta: Pranvera po vjen furishëm
Presidenti Ilir Meta ka urur ditën e Verës, duke nënvizuar se pas një dimri të gjatë e të vështirë, pranvera po vjen furishëm. “Pas një Dimri të gjatë e të vështirë, Pranvera po vjen furishëm! Gëzuar Ditën e Verës!”, shprehet Meta.Presidenti e ka shoqëruar urimin e tij edhe me një foto në të cilën shfaqet i buzëqeshur në natyrë.
Basha: Gëzuar Ditën e Verës
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Verës.
“Gëzuar ditën e verës qytetarëve të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë!”- shprehet Basha, duke e shoqëruar urimin me një foto me veroren tradicionale.
Ruçi: Të urojmë që pas kësaj, pandemia do të jetë një kujtim
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot Ditën e Verës.
“Dita e Verës, për herë të dytë, festohet në stinë të vështirësuara nga pandemia. Por kjo e keqe që ka goditur planetin dhe Shqipërinë, gjithashtu, na ka kufizuar fizikisht dhe materialisht, por jo shpirtërisht”, u shpreh Ruçi.
“Pandemia nuk depërton dot në zonat e jetës shpirtërore, të cilat janë të mbrojtura nga dashuria për jetën, prirjen për lumturi dhe besimi se në të ardhmen me ditë më të mira. Le të gëzojmë bashkarisht këte ditë, të mblidhemi rreth tryezës brenda vatrëva familjare dhe të urojmë e besojmë se pas kësaj Vere, pandemia do të jetë një kujtim”, shprehet kryetari i Kuvendit.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.