ROMË, 5 mars /ATSH-ANSA/ – Ka ende shumë vonesa në furnizimin e BE-së dhe Italisë nga disa kompani farmaceutike me vaksina dhe kush vonon nuk mund të justifikohet, pasi, nëse marrëveshjet janë nënshkruar, ato duhet të respektohen, deklaroi ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio në një mesazh në Facebook.
“Kjo është arsyeja pse si Ministri e Punëve të Jashtme, ne kërkuam të ndalojmë eksportin e rreth 250 000 dozave të vaksinës antiCovid nga vendi ynë për në Australi”, shkruan ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio në Facebook.
”Ky nuk është një akt armiqësor nga Italia drejt Australisë, por është pjesë e rregullores së miratuar më 30 janar në Europë”, tha ai.
“Shkaqet janë të qarta dhe të thjeshta”, theksoi Di Maio në postimin e tij.
”Australia është konsideruar tashmë si një vend jo i prekshëm në kuadër të rregullores së BE-së. Ekzistojnë ende pak vaksina në BE dhe në Itali dhe vonesat në livrime nga AstraZeneca janë të papranueshme”, theksoi Di Maio.
”Ne jemi vendi i parë europian që pengon transportin e një vaksine të prodhuar në vendet tona jashtë Bashkimit Europian”, përfundon ai./ /ec/