Meta: Shumë qytetarë rrezikojnë të mos votojnë, të zgjatet vlefshmëria e ID dhe pasaportave

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Presidenti Ilir Meta, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ku kërkon zgjatjen e vlefshmërisë së ID dhe pasaportave.

“Me qëllim garantimin e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur për të gjithë shtetasit me të drejtë vote; si President i Republikës, çmoj se Ministria e Brendshme, Këshilli i Ministrave, dhe Kuvendi i Shqipërisë, duhet të ndërmarrin sa më shpejt, të gjitha masat dhe nismën legjislative përkatëse me qëllim zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit që skadojnë deri në 25 prill 2021, për një periudhë kohore të nevojshme. Shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për një periudhë deri në 30 prill 2021 është një zgjidhje e pranueshme, një masë proporcionale dhe e domosdoshme në rrethanat aktuale, që duhet të vlerësohet e ndërmerret pa vonesë, në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote”, thekson Meta.

“Po sipas të dhënave të bëra publike, aktualisht përllogaritet se, në total janë rreth 800 000 shtetas me të drejtë vote, të cilët rrezikojnë të mos marrin pjesë në zgjedhjet e datës 25 Prill 2021, për shkak se dokumenti i tyre i identifikimit, ka skaduar, apo skadon deri ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.  Duke ju referuar numrin të zgjedhësve prej (1 613 960 zgjedhës) që morën pjesë dhe votuan në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, rezulton se, shifra prej 800 000 shtetas të cilëve u skadon afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit është sa gjysma e pjesëmarrësve në zgjedhjet e përgjithshme pararendëse, çka përbën një fakt tepër shqetësues”, tha Meta.

Kjo masë, shprehet ai, do t’i shërbejë si realizimit të së drejtës së qytetarëve në zgjedhje, ashtu dhe ruajtjes së integritetit të vetë procesit zgjedhor.

“Ndërkohë që, theksoj se Ministria e Brendshme duhet të bëjë më shumë lidhur me ndërgjegjësimin publik të shtetesave për të aplikuar pranë sporteleve përkatëse për të rifreskuar dokumentat e tyre të identifikimit dhe nga ana tjetër të marrë masa organizative që çdo kërkesë në rritje e shtetasve për aplikim në sportele, të jetë e përballueshme dhe të mos sjellë grumbullime të qytetarëve me rrisk përhapjen e infeksionit COVID-19. Si President i Republikës, në kushtet kur kanë ngelur 52 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, vlerësoj se, është momenti i përshtatshëm për t’u vlerësuar dhe ndërmarrë kjo nismë ligjore. Duke ju uruar punë të mbarë, kam besimin se kjo çështje do të marrë vëmendjen tuaj të plotë”, thekson Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.