Ballina Aktualitet

Kryemadhi: Propozimet e LSI-së shtojnë para në buxhetin e shtetit

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me banorët e njësisë 5 në Tiranë.

Kryemadhi theksoi se, LSI në programin e saj solli 5 ide të reja që nuk kanë impakt në buxhetin e shtetit.

“LSI solli 5 ide të reja. Pesë ide të reja shumë të thjeshta. Nuk kanë absolutisht asnjë lloj impakti në buxhet, pra nuk i kushtojnë buxhetit të shtetit, nuk i kushtojnë xhepave të shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Përkundrazi, shtoi ajo, “shtojnë para në xhepin e shqiptarëve, shtojnë para në buxhetin e shtetit, çlirojnë ekonominë shqiptare, krijojnë hapësira investime, e bëjnë vetë shtetin shqiptar dhe politikën për të pasur një vizion”.

Dhe, nënvizoi Kryemadhi, “kjo lloj ndjesi pozitive dhe komoditeti që më kanë dhënë, më krijoi një lloj besimi për ta vazhduar, për ta implementuar dhe për të vazhduar për të folur me njerëzit për programin”.

“Vajzat e reja, djemtë e rinj dhe ekonomistët me një vizion të qartë, jo vetëm që e kanë përfaqësuar, por janë kthyer në trumbetues të programit”, tha kryetarja e LSI.

Kryemadhi theksoi se, “ajo që është shumë e rëndësishme sot, është pozitiviteti dhe përthithja që po ndodh çdo ditë e më shumë nga brezi i ri dhe nga ai kontingjent njerëzish që janë të shkolluar dhe po shikojnë një dritë shprese”.

“Unë jam shumë e kënaqur, sepse sot, ndërkohë që isha me punonjës të bankave të nivelit të dytë, apo edhe biznesmenë, njerëz të shkolluar për ekonomi, thanë që ne e kishim bërë në plan të largoheshim nga Shqipëria, por nëse ti na garanton që këto gjëra do të realizohen, këto janë gjëra të jashtëzakonshme, sepse nuk ka rëndësi të bësh gjëra të mëdha, apo shpenzime shumë të mëdha”, u shpreh ajo.

“Më tha një vajzë që punonte në një kompani franceze që gjëja më e mirë për fondin nga bebja në bebe, është më mirë të investohet për fëmijët e shqiptarëve që të kenë të ardhme, apo të investohet për kolltukët e qeveritarëve dhe për zyrat e tyre. Kështu që ajo çfarë ju kërkoni të bëni për fëmijët e shqiptarëve, që të mos ikin nga Shqipëria më tha, por të rrinë dhe të ndërtojnë familjet këtu është gjëja më e vogël që mund të bëjë një klasë politike apo një Parlament”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi po ashtu një takim me të rinjtë në Njësinë 8.

“Ne kemi në avantazh shumë të madh që ju që jeni votues për herë të parë i keni bërë kartat e identitetit dhe nuk ju kanë skaduar”, u shpreh Kryemadhi.

“Ne si LSI, kemi një program shumë të thjeshtë, shumë të detajuar, shumë specifik, i drejtpërdrejtë. Është ky program, një broshurë me fjalë të thjeshta, që është i fokusuar në 5 prioritete, që janë të realizueshme dhe të menjëhershme, ku prioriteti i parë për ne është ekonomia, lufta ndaj papunësisë dhe krijimi i vendeve të reja të punës, si edhe një punë të mirëpaguar. Dhe në anën tjetër është arsimi, ku këto vende pune të mirëpaguara vijnë si rezultat i studentëve, i profesionistëve të zotë dhe që kanë mundësi për të krijuar hapësirat e tyre”, theksoi ajo.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Mbi 800 viktima nga COVID-19
Artikulli tjetërRaporti i TI/ Gjonaj: Shqipëria, trend pozitiv të rritjes në indeksin e perceptimit të korrupsionit