Ballina Bota

UASHINGTON – SHBA: Australia të heqë ligjin e propozuar të mediave sociale

UASHINGTON, 19 janar /ATSH-AA/ – SHBA-ja i ka kërkuar Australisë të tërhiqet nga ligji i saj i propozuar kundër Facebook dhe Google, njoftuan sot mediat lokale.

Sipas mediave të huaja, në një letër nga Zyra Ekzekutive e Presidentit të SHBA-së, Uashingtoni shprehu shqetësim në lidhje me synimin e Canberras zyrtare për të detyruar dy kompanitë amerikane të paguajnë për lajmet, thuhet në raportimin e “ABC News”.

“Qeveria e SHBA-së është e shqetësuar se përpjekja, përmes legjislacionit, për të rregulluar pozicionet konkurruese të lojtarëve të ndryshëm në dëm të qartë të dy kompanive amerikane mund të rezultojë me një përfundim të dëmshëm”, thuhet në letrën e qeverisë amerikane.

Në prill të vitit të kaluar, Australia zbuloi planet për të detyruar gjigandët e teknologjisë të paguajnë mediat për përmbajtjet e tyre.

Më herët, politikani Josh Frydenberg ishte shprehur se duke krijuar një kod të detyrueshëm, Australia do të jetë vendi i parë në botë ku këtyre gjigantëve të mediave sociale do t’u kërkohet të paguajnë për përmbajtjen origjinale të lajmeve.

Megjithatë, më vonë në shtator të vitit të kaluar, Facebook u kërcënua se do të ndalonte përdoruesit të shpërndanin përmbajtje të lajmeve në Australi nëse propozimi miratohet dhe bëhet ligj.

Sipas Raportit të Lajmeve Digjitale të Universitetit të Canberra-s për vitin 2020, 39% e australianëve përdorin Facebook-un për lajmet e përgjithshme./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSiguria ushqimore/ 453 inspektime dhe 22 masa paralajmëruese 
Artikulli tjetërRrebeshe shiu në 22-26 janar/ Agjencia e Mbrojtjes Civile paralajmëron bashkitë dhe prefektët të marrin masa