Kryemadhi takon banorë në Papër: Të fokusohemi tek shitja e produkteve “Made in Albania”

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me banorë të Paprit në Elbasan.

Ajo u shpreh se duhet të fokusohemi tek shitja e produkteve që prodhohen në Shqipëri

Kryemadhi u shpreh se “sot po diskutonim që prodhimi vendas, si në bujqësi e blegtori, mbulon vetëm 30% të kërkesave dhe 70% vjen nga jashtë. Kur prodhimet tona bio, janë të kërkuara nga njerëzit ne nuk plotësojmë dot kërkesat tona”, tha Kryemadhi.

“Një nga arsyet që ne duhet të fokusohemi është shitja e produkteve që prodhohen në Shqipëri, “Made in Albania”, tha ajo.

“Kjo”, theksoi Kryemadhi, “është një ndër mënyrat më të mira për të ndihmuar dhe fermerin dhe për të joshur konsumatorin shqiptar, për të marrë produktet shqiptare. Produktet shqiptare dalin më të shtrenjta se ato të huaja”.

“Siç ndodh për qumështin e bagëtisë tonë, sepse tregun po e mbyt qumështi maqedonas, boshnjak apo kroat, sepse subvencionohen apo ndihmohen nga politikat e shtetit të tyre dhe ndërkohë ne diskriminojmë dhe nuk e favorizojmë, e gjobisim fermerin apo blegtorin tonë. Kjo ndihet edhe këtu tek ju, tek shpendët”, shtoi Kryemadhi.

Kryemadhi zhvilloi edhe një takim me banorë  në Bradashesh.

“Problematikat kryesore që ngrenë njerëzit janë mungesa e transportit për të shkuar në qytet qoftë për të marrë një certifikatë, problematikat që kanë me ndotjen e Kombinatit. Pastaj është mungesa e vendeve të punës, mungesa e hapësirave për të zhvilluar një biznes, taksat e larta, hapësira në mënyrë të tillë që secili të ketë kismetin dhe riskun e vet ku i thonë, për të punuar dhe për të jetuar”, u shpreh Kryemadhi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.