Ballina Aktualitet

Arrestohet sanitarja e spitalit COVID 2/ Akuzohet për mashtrim dhe korrupsion

TIRANË, 13 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Policia e Tiranës ka arrestuar sanitaren në spitalin COVID 2, që akuzohet se ka mashtruar një qytetare, duke u hequr si infermiere.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases Tire Alldervishi A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”,- njoftoi Policia.

Sipas hetimeve të deri tanishme rezulton se sanitarja Tire Alldervishi, i mori qytetares 8 milionë lekë për t’i shpëtuar nënën nga koronavirusi.

59-vjeçarja Alldervishi është arrestuar nga Policia e Tiranës, pas denoncimit të bërë në një emision investigativ ku rezultonte se ajo ishte prezantuar si infermiere te shtetasja E. S., duke i marrë 8 milionë lekë për t’i shpëtuar të ëmën 55 vjeçe, por që kjo e fundit kishte ndërruar jetë te Spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”. Sipas denoncimit, në muajin dhjetor, gjatë kohës kur nëna e kallëzueses ndodhej e shtruar në spital, sanitarja e ka mashtruar, duke i marrë rregullisht shuma të ndryshme monetare.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reagoi një ditë më parë duke dënuar me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares.

“Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë”, thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa i kërkoi autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Rekord viktimash nga COVID-19 në 24 orët e fundit
Artikulli tjetërPalmer: E rëndësishme që BE të gjejë një rrugëtim për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë