Ballina Flash

Rimbursimi i barnave për trajtimin e COVID-19/ Procedurat e përfitimit falas për qytetarët

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi sot një video orientuese që qytetarët e prekur nga COVID-19 që trajtohen në banesë mund të përfitojnë barnat me rimbursim falas.
“Garantojnë  barnat falas për qytetarët e diagnostikuar me COVID-19 që trajtohen në banesë. Për të përfituar recetën me rimbursim lidhuni me mjekun tuaj të familjes. Nëse nuk keni kontaktin e mjekut tuaj të familjes lidhuni me linjën e gjelbër 0800 40 40 për ta mësuar”, – theksoi Manastriliu.

Mjeku i familjes përshkruan recetën sipas protokollit, në varësi të gjendjes së pacientit. Me kodin e recetës një i afërm i pacientit paraqitet në farmacitë me kontratë me FSDKSH për të marrë barnat falas.

Për të lehtësuar barrën financiare për qytetarët që preken lehtë apo mesatarisht nga COVID-19, qeveria vendosi rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas vendimit të qeverisë, paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë./k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRaporti i Dick Marty/ Kalon në seancë kërkesa për ngritjen e Komisionit të posaçëm
Artikulli tjetërRama publikon dëshminë e pacientit të shëruar nga COVID/ Petrit Meçani: Falë mjekëve të Sanatoriumit kam një jetë të dytë