Rama publikon dëshminë e pacientit të shëruar nga COVID/ Petrit Meçani: Falë mjekëve të Sanatoriumit kam një jetë të dytë


TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot përvojën në spitalet COVID të një pacientit të shëruar tashmë nga koronavirusi.

Falë shërbimit mjekësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, Petrit Meçani shprehet se “po jeton një jetë të dytë”.

“Pata bllokim frymëmarrje dhe dobësi. Jam paraqitur pranë spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ me urgjencë me saturim të oksigjenit 50. Jam shtruar te Sanatoriumi në orën 1 të natës në spital dhe pavarësisht orës së vonë kishte një gatishmëri totale për t’u admiruar të personelit të spitalit si në urgjencë, edhe në pavijon. Më kanë shtruar, më kanë bërë analizat e rastit dhe më është hapur kartela, shërbimi ishte i shkëlqyer, personeli i mjekëve dhe infermierë, jashtëzakonisht njerëzor, të afërt në dispozicion të të gjithë pacientëve, ishte diçka e mrekullueshme, për t’u pasur zili”, tha Meçani.

“Ata që e kanë kaluar këtë eksperiencë të vështirë, vetëm ata e dinë se çfarë është COVID. Njerëzit duhet të binden tek ajo që thonë specialistët, të parët duhet të ndërgjegjësohen dhe kuptojnë se zbatimi i masave mbrojtëse është i domosdoshëm, i detyrueshëm. Kur e kujtoj periudhën time në spital nuk mund të lë pa falënderuar stafin mjekësor të spitalit, dhe një mirënjohjeje për Silvana Bala dhe Perlat Kapisyzi falë të cilëve unë e kam një jetë të dytë”, tha Meçani. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.