TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme Detare me qendër në Durrës njofton sot se në datat 18-19 shtator moti në zonën e detit Jon në veri do të përkeqësohet.
Si rezultat i krijimit të një cikloni, me era të fuqishme dhe reshje shiu ditën e premte dhe të shtunë vendi ynë do të përfshihet nga era me drejtim veri, veri-perëndim, veri-lindje.
Moti i përkeqësuar do të jetë në jug të Italisë do të vazhdojë në drejtim të lindjes më konkretisht në zonën e Greqisë. Këto zona do të përfshihen nga era me shpejtësi deri në 60 milje në orë dhe lartësia e dallgës së detit arrin në 5.5 m dhe perioda 8 s.
“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë dhe që udhëtojnë në destinacion zonën e detit Jon i veriut, më konkretisht në zonën e Italisë së Jugut dhe Greqisë, duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme Detare.
/k.s//a.a//r.e/