Procesi i kalimit të pronësisë/ Në qarkun e Gjirokastrës përfundon inventarizimi i dosjeve

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Problematikat e ngritura nga qytetarët e qarkut Gjirokastër lidhur me implementimin e ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” ishin në qendër të takimit të zhvilluar mes prefektit të qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj dhe Pëllumb Milori, drejtor i Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tepelenë.

Gjatë këtij takimi u diskutua për përfundimin e pajisjes me tokë të atyre familjeve dhe kategorive për të cilat ende nuk është bërë, përfundimi i procesit të pajisjes me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) i tyre si dhe regjistrimi dhe certifikimi i pronës në fshat.

Ndër të tjera u nënvizua dhe procesi i dorëzimit të dokumentacionit arkivor pranë A.SH.K përkatëse të KVVTP pas përfundimit të veprimtarisë së saj më 31 dhjetor 2019.

Prefekti Aliaj theksoi se “ka përfunduar inventarizimi me procesverbalet përkatëse për çdo dosje që administroheshin nga Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë”.

Sipas tij, është bërë gjithashtu ndarja e dokumentacionit sipas bashkive respektive.

Projektligji për kalimin e pronës zgjidh situatën absurde për pronën duke i dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme këtij procesi që mbyll një herë e përgjithmonë problemin e pronës në interes të qytetarëve./k.s//a.a//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.