Ambasada e SHBA-së: Të bëhet drejtësi, pavarësisht kush është i pandehur

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut.

Përmes një deklarate zyrtare, Ambasada amerikane në Tiranë thotë se profesionistët e sistemit të drejtësisë, oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur. Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”, theksohet në deklaratën zyrtare të Ambasadës amerikane në Tiranë.

Mbi deklaratën e Ambasadës amerikane ka reaguar dhe ambasadorja, Yuri Kim. Duke shpërndarë deklaratën zyrtare të Ambasadës së SHBA-se, ambasadorja Kim shprehet se e gjithë puna e SPAK bëhet për të ndëshkuar kriminelë të njohur asgjë më shumë e asgjë më pak.

“Çështjet e rëndësishme shpeshherë shoqërohen nga fushata të shtrenjta për të krijuar dyshime dhe konfuzion, për të blerë influencë, për të mohuar të vërtetën, për t’i shpëtuar drejtësisë. Le të jemi të qartë: kjo është për të ndëshkuar kriminelë të njohur, asgjë më shumë. Mbështesim fort SPAK dhe Policinë”, shprehet Kim.

z.tosku/ /a.a/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.