Durrës/ Shtyhet afati i pagesave të qirave të banesave sociale dhe tarifave vendore të biznesit

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Shtyhet afati i pagesave të qirave të banesave sociale dhe tarifave vendore të biznesit në bashkinë e Durrësit.

Këshilli bashkiak i Durrësit, i cili ka zhvilluar mbledhjen online, ka miratuar shtyrjen e afatit të pagesave të qirave për familjet që jetojnë në banesa sociale si dhe shtyrjen e pagesave të tarifave vendore për biznesin, vendime që lehtësojnë këto kategori.

Në mbledhjen online të këshillit bashkiak të Durrësit u miratua shtyrja e detyrimit të qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020 për të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje për banesat sociale me palë qiradhënës bashkia Durrës.

Sipas vendimit, detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale për periudhën e mbetur të vitit 2020.

Gjithashtu u miratua shtyra e afatit të pagesës së tarifave vendore nga data 20 prill 2020,  për në datën 30 qershor 2020 për të gjitha aktivitetet e mbyllura në zbatim të Urdhrit nr. 193, datë 20.03.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për kufizimin apo mbylljen e lëvizjeve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

/gj.mima/ /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.