TIRANË, 5 prill/ATSH/ “Këtu ka shqetësime reale dhe legjitime në lidhje me mbrojtjen e punonjësve të kujdesit shëndetësor që po trajtojnë pacientët me koronavirusin e ri”.
Kështu nis artikulli i televizionit prestigjioz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “ABC NEWS” ku përmes edhe një reportazhi pasqyron historinë e një inxhinieri shqiptar, Agjah Libohova i cili po ndihmon me furnizimin e maskave mbrojtjesë për personelin mjekësor në Nju Jork
Nevoja për maska bëri që mjekja Bettina Fries, epidemiologe në Universitetin Stony Brooks në Nju Jork, të kujtohej që komshiu i saj në Long Island ishte një inxhinier industrial i specializuar në elemente plastike.
‘Unë i dërgova një sms duke e pyetur: ‘Agjah, a mund të bësh maska mbrojtëse për ne?’ Pasi i dërgova edhe një fotografi, më tha: ‘Po, po, ne mund ta bëjmë ketë,’ “rrëfeu doktoresha Fries.
Ai mund të projektonte disa maska të thjeshta, që të mbulonin jo vetëm gojën, por edhe sytë, pa penguar shikimin ose frymëmarrjen. Inxhinieri pranoi sfidën dhe për pak ditë projekti mori formë dhe u realizua.
Projekti i pëlqeu aq shumë Danny Lax, pronarit të firmës ku Libohova punon, Clear Vu, që ndër të tjerat merret me ndriçimin me LED të metropolitanës së Nju Jorkut, sa që ata kanë filluar të prodhojnë 2000 të tilla në ditë, duke arritur në fund të muajit 100 mijë maskat në ditë. Nga këto, rreth 1 milion janë të porositura nga shteti i Nju Jorkut, i drejtuar nga guvernatori Cuomo.
Kostoja për momentin shkon tek 2 dollarët, por parashikohet një ulje drastike me prodhimin masiv, i cili do të ndihmojë shumë veçanërisht personelin mjekësor që duhet të ndryshojnë shpesh maskat.
Inxhinieri shqiptar Agjah Libohova, ka lindur në Tiranë dhe pas studimeve në Politeknikum dhe një karrierë të gjatë në Itali, prej shumë vitesh banon tashmë në Shtetet e Bashkuara. z.tosku/j.p/






















