TIRANË, 5 prill /ATSH – I. Vata/- Qyteti i Kukësit u zgjua sot në heshtje dhe vazhdoi gjatë gjithë ditës të ishte i boshatisur nga qytetarët.
Bashkia Kukës ka marrë masa për parandalimin e COVID-19, jo vetëm duke vijuar operacionin humanitar në çdo Njësi Administrative, por duke dezinfektuar ambiente publike të institucioneve arsimore e publike po ashtu dhe hapësirave të qytetit.
Një nga masat e zbatuara nga qytetarët e Kukësit, ka qenë qëndrimi në shtëpi sepse bashkia Kukës iu ka ofruar asistencë të moshuarve e pensionistëve duke iu ofruar ndihmë në shtëpi.
Sot në qytetin e Kukësit, ishin vetëm patrullat e Policisë së Shteti dhe Ushtrisë që monitorojnë zbatimin e masave kundër përhapjes së COVID-19.
Thirrjet e herëpashershme të kryetarit të bashkisë Kukës, Safet Gjici, si dhe njoftimet e Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë apeli i përhershëm që është mirëkuptuar nga qytetarët e Kukësit dhe sot qyteti fliste vetë me heshtje. /j.p/






















