Ballina Aktualitet

28 jetë të humbura deri tani nga tërmeti/ Xhaçka: Rindërtim i shtëpive

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ -Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi sot në një konferencë për shtyp se janë 28 jetë të humbura prej tërmetit të rënë në 26 nëntor.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve banesat e të cilëve kanë dëmtime strukturore që të mos rikthehen në shtëpitë e tyre.

Ajo e cilësoi deklaratën e sotme, si “komunikimi më i vështirë që mund t’i takojë një zyrtari të shtetit shqiptar, e që do doja mos të ndodhte kurrë”.

“Tërmeti i datës 26 ishte vërtet një ngjarje e rëndë. Ka shkaktuar frikë dhe ankth, ndjesi të cilat përsëriten sa herë toka lëkundet, ashtu siç ndodhi disa minuta me parë, ka shkaktuar dëme masive që do të duhet kohë për t’i rikuperuar”, tha Xhaçka.

“Por do t’i rikuperojmë. Shtëpitë do të rindërtohen, bizneset do të ringrihen, jeta do të rifillojë për të gjithë qytetarët dhe do të keni të gjithë mbështetjen tonë, gjithë mbështetjen e shtetit shqiptar, partnereve ndërkombëtare, qytetareve shqiptare, për të kaluar këtë situatë të vështirë e për të rifilluar nga e para”, u shpreh Xhaçka.

Por, tha ajo, “ka diçka që nuk mund ta kthejmë më mbrapsht. Askush nga ne nuk mundet. Janë 28 jetë të humbura, që lënë pas një boshllëk që askush nuk e mbush dot. E di që fjalët janë të tepërta e asgjë s’mund t’i ngushëllojë familjet e tyre për humbjen”.

Por, shtoi ministrja Xhaçka, “në një shenjë respekti për jetët e humbura, dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët emrat e të 28 fëmijëve, vajzave, djemve burrave e grave që nuk arritën ti mbijetonin kësaj tragjedie, për t’i kujtuar së bashku në këto orë dhimbjeje e ngushëllimi për të gjithë”.

Në Durrës kanë humbur jetën:

1-      Amelia Lala, 8 vjeç

2-      Esiela Karanxha, 8 vjeç

3-      Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç

4-      Sadik Qato, 85 vjeç

5-      Isah Abazi, 29 vjeç

6-      Flatar Zenelaj, 64 vjeç

7-      Eviola Broshka, 28 vjeç

8-      Kristi Reçi, 24 vjeç

9-      Sehadete Lala, 79 vjeç

10-    Djena Karanxha

11-    Eduart Reçi

12-    Shemsedin Abazi

Në Krujë:

  1. Ariela Lala 4 vjeç
  2. Bukurije Leka
  3. Erisa Cara
  4. Fatmira Cuka 44 vjeç
  5. Selvie Lala 77 vjeç
  6. Saimir Greku
  7. Kristjan Preçi 26 vjeç
  8. Sardi Cuka 18 vjeç
  9. Hajrie Vata 65 vjeç
  10. Klevis Çupi (Aliu) 34 vjeç
  11. Drita Cakoni 58 Vjeç
  12. Pëllumb Greku 57 Vjeç
  13. Çelike Grupieku 57 Vjeç
  14. Hajredin Çupi, 66 Vjeç
  15. Kastriot Cakoni

Ndërsa në Lezhë:

Marjan Preçi 25 vjeç –  u dëmtua nga tërmeti dhe automjeti që po e dërgonte në spital ka dalë nga rruga. Për pasojë Marjan Preçi ka humbur jetën.

“Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura por dhe shumë shpresë për të lënduarit. Kjo, ka qenë një ngjarje vërtet e rëndë. Por nëse ka në këtë situatë një fenomen mbresëlënës, është pa dyshim fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit që kemi parë brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Xhaçka.

“Jam ndjerë vërtet edhe e prekur, por edhe shumë krenare, siç jam e bindur edhe të gjithë ju, kur kam parë skenat e qytetarëve që përpiqeshin e përpiqen të ndihmojnë brenda dhe përtej mundësive të tyre. Dhe jam vërtet mirënjohëse dhe pa fjalë në fakt, nga ata qindra e mijëra shqiptarë të thjeshtë, që kanë vërshuar të ndihmojnë, duke asistuar në operacionet e kërkim shpëtimit, duke dhuruar ushqime e veshmbathje, duke hapur dyert e shtëpive apo hoteleve për të strehuar ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, tha Xhaçka.

“Dua t’i falënderoj edhe njëherë të gjithë qytetarët që ende sot po vazhdojnë të punojnë vullnetarisht, të palodhur e shpesh duke rrezikuar shumë. Ashtu siç dua të falënderoj edhe të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë, e mbi të gjitha vëllezërit e motrat tona kosovare që na janë gjendur ashtu siç dinë shqiptarët t’i gjenden njëri tjetrit në orët e tyre të vështira. Jam pa fjalë. Faleminderit nga zemra”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes, teksa, përsëriti mesazhin se, “ende nuk ka kaluar faza e rrezikut. Ky rrezik sot vjen mbi të gjitha nga godinat e dëmtuara, që mund të jenë në rrezik shembje, që mund të kenë pësuar dëme strukturore. Prandaj dua të përsëris thirrjen për qytetaret; Ju lutem mos u riktheni në shtëpitë tuaja në qoftë se ato kanë dëmtime të tilla. Edhe nëse nuk jeni të sigurt, është më mirë për ju, për familjet tuaja që të prisni derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve te cilat janë organizuar tanimë dhe do të jenë në terren 24 orë në ditët në vijim”.

Po ashtu, Xhaçka u bëri thirrje, “të gjithë autoriteteve vendore që ta përshpejtojnë sa më shumë këtë proces sepse ky nuk është thjesht një proces inventarizimi i dëmeve e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish. Është një përgjegjësi shumë e madhe të cilës i duhet shkuar deri në fund me përgjegjësinë e rigorozitetin më të madh. Duke marrë seriozisht e inspektuar çdo raportim e denoncim e duke mos e çuar situatën në një pikë ku njerëzit humbasin durimin, lodhen duke pritur dhe marrin parasysh rrezikun e rikthimit në banesat e dëmtuara”.

“E di që ky proces ka nisur vetëm sot. Prandaj kjo e imja nuk është një kritikë, por një paralajmërim që të investohen tek ky proces me gjithë seriozitetin që meriton kjo situatë dhe meritojnë qytetarët shqiptarë. Sigurisht për të gjitha ato mungesa në kapacitete profesionale që bashkitë mund të kenë, do të asistohen nga profesionistë të institutit të ndërtimit apo shoqatës së ndërtuesve për ta kryer procesin e verifikimit në kohë sa më të shpejtë. Do të jemi në kontakt në orët në vijim për më shumë informacion”, tha Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMisioni për shpëtimin e të mbijetuarve vijon në rrënojat e vilës 4-katëshe
Artikulli tjetërMbështetje nga Italia, Manastirliu: 30-vjeçari nga Spitali i Traumës transportohet në Bari