Ballina Flash

Certifikimi i zgjedhjeve/ KQZ në pritje të vendimeve të PZAP dhe Gjykatës Supreme

PRISHTINË, 9 nëntor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe të Gjykatës Supreme.

Kështu ka thënë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sipas të cilit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me ankesat që janë parashtruar në këtë institucion, e më pas duhet të pritet edhe Gjykata Supreme nëse ndonjë ankesë paraqitet në këtë institucion nga pala e pakënaqur me vendimin e PZAP-së.

“Se kur do të ndodhë certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve ne nuk mund ta dimë tani datën e saktë, por e dimë që rezultati i zgjedhjeve certifikohet pasi këto institucione vendosin lidhur me të gjitha ankesat që parashtrohen si dhe pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ndërmarrë të gjitha hapat që i kërkohen përmes këtyre vendimeve”, tha Elezi.

Pas këtyre hapave KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e tyre, ndërsa, pastaj do të ketë mundësi të procedojë për certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Janë dorëzuar 100 ankesa nga partitë politike dhe kandidatë të tyre për deputetë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka 72 orë kohë për t’i shqyrtuar.

Ndërsa, pas këtij afati palët e pakënaqura kanë të drejtë të bëjnë ankesë në Gjykatën Speciale brenda 24 orëve, kurse kjo e fundit ka 72 orë kohë për të vendosur.

Pas kësaj procedure, KQZ duhet t’i respektojë vendimet e këtyre dy institucioneve dhe pastaj bën certifikimin e rezultateve./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFISHË TEKNIKE – Pesë gjëra që duhet të dini për Ballkanin Perëndimor
Artikulli tjetërFOTOGALERI/ Histori njerëzore, emocione dhe fakte autentike nga Lufta e Kosovës në ”55 ditët” e Mirela Oktrovës