FOTOGALERI/ Histori njerëzore, emocione dhe fakte autentike nga Lufta e Kosovës në ”55 ditët” e Mirela Oktrovës

TIRANË, 9 nëntor /ATSH-A.ALLA/ Ditari dokumentar dhe fotografik “55 ditë” i gazetares, studiueses dhe autores Mirela Oktrova, i mbajtur 20 vjet më parë në 55 ditët e qëndrimit të saj në zonën e krizës gjatë Luftës së Kosovës u promovua edhe në Tiranë, në COD (Qendra për Hapje dhe Dialog) në Kryeministri.

Mes miqsh dhe plot dashamirësve të librit, autorja Mirela Oktrova përcolli emocionet dhe përjetimet të ditarit të saj, i cili mes rreshtave mbante akoma të gjallë dhimbjen dhe dëshmitë autentike të Luftës së Kosovës.

Në librin “55 ditë” ato që të binin në sy ishin dëshmitë dhe historitë njerëzore të cilat ishin dhe të fotografuara e ku përmes tyre të kthehej në kujtesë ajo dhimbje që populli i Kosovës kaloi, por ku në portretet e tyre shihej forca dhe kurajoja e tyre për të mos u mposhtur.

Gjithashtu e veçanta e këtij botimi ishte dhe fotoja e kopertinës e cila tregon ngjarjen kryesore të rrëfimit. Ajo fikson në celuloid vulosjen e duarve të të shpërngulurve si mjet identifikimi në kushtet e mungesës së dokumenteve personale.

Teksa lexonte për të pranishmit autorja Mirela Oktrova e mbylli me një mesazh mjaft interesant ku u shpreh se, “një luftë do të duhej të mjaftonte, për të na mësuar të vlerësojmë paqen”.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare gazetarja, studiuesja dhe autorja Mirela Oktrova ndau emocionet e saj dhe disa detaje dhe fakte mjaft interesante për librin “55 ditë”.

“Libri është një kronikë autentike e Luftës së Kosovës nga një këndvështrim specifik. Në këto 55 ditë është ditari që unë kam mbajtur gjatë qëndrimit tim në rajon, në pjesën më të madhe në Maqedoninë e Veriut, por dhe në Kosovë kur hyra me trupat e NATO-s. Në këtë libër pasqyrohet gjithë çfarë ndodhte atje sa i takon sfondit strategjik, politik dhe ushtarak, katastrofës humanitare dhe natyrisht kontaktet emocionale me individët që takova dhe nuk ishin pak, ishin 15 mijë vetë”, – shprehet Oktrova.

Ajo gjithashtu shprehet se ky libër ka një vlerë të veçantë emocionale, e cila edhe sot, edhe pse kanë kaluar vite për të mbetet ende një dëshmi e gjallë dhe e trishtë.

“Për mua ky libër ka një vlerë të veçantë dhe gjithashtu dhe për lexuesin shqiptar, pasi ky botim është një dëshmi e gjallë e asaj periudhe”, – tha Oktrova.

Mbi vlerësimin që iu bë gazetares, studiueses dhe autores Mirela Oktrova në Prishtinë, ku për këtë botim u nderua me Çmimin e Publicistikës, ajo shprehet se, “ky është një tregues i faktit ku mesa duket libri i ka plotësuar pritshmëritë dhe kjo pritshmëri ishte që emocionet dhe përjetimet e mia shkuan edhe tek lexuesi”.

Ky ditar lufte, kjo dëshmi e Luftës së Kosovës sot u përcillet brezave dhe lexuesit me thirrjen për të mos harruar.

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.