Kosova nderon dëshmorët e kombit Fahri Fazliu e Afrim Zhitia në 30-vjetorin e rënies

PRISHTINË, 2 nëntor/ATSH/ Sot shënohen 30 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të Kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga komuna e Podujevës.

Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

Me këtë rast në vendin ku ranë heroikisht dy djemtë trima janë kryer homazhe nga qytetarë të shumtë e figurat më të larta të politikës kosovare, të cilët kanë kujtuar e nderuar veprën heroike të tyre në dobi të lëvizjes kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

​Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në këtë 30-vjetor të rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, ka thënë se këta dy veprimtarë të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishin të përkushtuar jetësisht dhe të përgatitur gjithanshmërisht për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike.

“Më 2 nëntor 1989, ata u ballafaquan me trimëri me forcat policore serbe, duke dëshmuar se në Kosovë asnjëherë nuk do të reshtte veprimtaria e organizuar kundër sundimit jugosllav. Edhe pse rënia e Afrimit dhe Fahriut ishte humbje e madhe për Lëvizjen kombëtare, emrat e tyre u bënë simbol frymëzimi për gjeneratën tonë, e cila nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë, duke realizuar ëndrrën e tyre, çlirimin e Kosovës”, shprehet ai.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se Fahri Fazliu e Afrim Zhitia ishin ndër të parët që rezistencën e armatosur e kishin parë si mundësi të vetme për çlirimin e Kosovës dhe e mbajtën të pashuar idealin e lirisë, duke ia pasuar brezit të UÇK-së.

“Në 30-vjetorin e rënies së tyre, kam bërë homazhe në Bregun e Diellit në Prishtinë, në nderim të dy heronjve të kombit, të cilët përjetësisht do të mbesin frymëzim për sakrificën dhe heroizmin, në përpjekjet për të drejtën tonë. Lavdi e përjetshme”, shprehet ai.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur se, Afrimi dhe Fahriu aq shumë i ngjajnë Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës për nga vendosmëria patriotike, trajektorja jetësore dhe rënia heroike.

“Viti 1989 ishte vit i demonstratave të dendura e të fuqishme. Më 1 nëntor, Afrim Zhitia, asokohe sekretar organizativ i Lëvizjes, ilegal që prej dy muajsh, mban fjalim para demonstruesve. Të nesërmen, bashkë me veprimtarin e dalluar, Fahri Fazliun, vriten nga policia e Serbisë në Bregun e Diellit në Prishtinë. Me dhimbje e krenari i kujtojmë sot, më 2 nëntor, në 30-vjetorin e rënies së tyre. Me Afrimin e Fahriun, udhëheqja e Lëvizjes atëbotë nis e bëhet nga brenda, jo më prej jashtë vendit. Organizata rritet e aktivitetet shpeshtohen. Bëhet thirrje për sabotimin e mallrave të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi (që asokohe mbanin anën e Beogradit), si dhe minohen lartpërçuesit elektrik drejt Serbisë. Veprojnë njësitet e para guerile: dëshmorët Ali Ajeti dhe Hasan Ramadani të Çetës së Llapit armët i patën marrë nga Afrim Zhitia. Afrimi dhe Fahriu aq shumë i ngjajnë Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës për nga vendosmëria patriotike, trajektorja jetësore dhe rënia heroike. Gjersa vazhdon okupimi, edhe rezistenca vazhdon, me të tjerë veprimtarë të paepur, që duket se përsëriten, sepse populli është i njëjti”, shprehet ai.

Pak histori…

Fahri Fazliu lindi në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdonte gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

Afrim Zhitia lindi në vitin 1965 në fshatin Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë me shokë dhe dënohet me katër vjet burg.

Më 2 nëntor 1989 të dy djelmoshët, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit nga UDBA serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, derisa dy atdhetarët ranë heroikisht. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.