TIRANË, 22 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Zv.ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-ve, Jorgan K. Andrews, ka garantuar, gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë, me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mbështetje të pakursyer për vendin tonë për zbatimin e plotë të paketës së Reformës në Drejtësi, si edhe për ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, SPAK dhe BKH.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, gjatë takimit me zv.ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit Jorgan K. Andrews e informoi atë, lidhur me punën që është bërë për implementimin e plotë të reformës në drejtësi dhe funksionimin e organeve të reja. Gjonaj falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për të gjithë suportin e ofruar, dhe tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara përmes misionit OPDAT dhe Ambasadës amerikane, bëri të mundur që standardet e sistemit të ri të drejtësisë, të jenë në përputhje me ato ndërkombëtare.
Zv.ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, i shoqëruar nga e ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane në Tiranë Leyla Moses-Ones, vlerësoi punën e bërë nga ministrja Gjonaj, duke u shprehur optimist për bashkëpunimet e mëtejshme. Jorgan K. Andrews tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin projektet e Ministrisë së Drejtësisë me një sërë projektesh për fuqizimin e shtetit të së drejtës.
Ministrja Gjonaj, njoftoi se ka marrë, “vlerësimet e zv.ndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Jorgan K. Andrews, për zbatimin e paketës së Reformës në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e sistemit penitenciar, nuk janë vetëm njohje të meritave tona, por objektiva, përgjegjësi dhe punë më shumë për forcimin e sistemit dhe shtetit të së drejtës”.
“Kisha kënaqësinë që në takimin me z. Andrews në Ministrinë e Drejtësisë, të siguronim përkrahjen e plotë për zbatimin e reformave që kemi ndërmarrë. Mbështetja e pakursyer amerikane në zbatimin e Reformës në Drejtësi, ngritjen dhe rritjen profesionale të kandidatëve të SPAK dhe BKH, është themelore në këtë moment. Ndaj puna jonë do të konkretizohet shumë shpejt edhe në forcimin e bashkëpunimit ndërgjyqësor me mekanizma të tjerë me qëllim rritjen e efikasitetit të luftës kundër kriminalitetit”, – bën të ditur Gjonaj.
“Gjithashtu, e falënderova Andrews për mbështetjen financiare dhe asistencën teknike, që qeveria amerikane po i jep qeverisë shqiptare për sistemin e burgjeve, dhe kryesisht zbatimit të regjimit të posaçëm 41 bis. Natyrisht, ajo çka kemi realizuar me bashkëpunimin e partnerëve tanë të çmuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, është shumë herë më e vogël nga ajo çka na pret për të realizuar në të ardhmen”, përfundon ministrja e Drejtësisë njoftimin e saj. /j.p/























