TIRANË, 13 Shtator /ATSH/ – Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, “rrëzimi i dekreteve presidenciale ditën e djeshme nga Parlamenti është një tjetër provë e një qeverie autoritare që mbahet në këmbë nga oligarkët”.
Sipas saj, “ky bashkëpunim i ngushtë ka prodhuar një Shqipëri të varfër, të kriminalizuar, të pabarabartë dhe të pajetueshme”.
Në një dalje për mediet, Tabaku u shpreh se, “votimi i djeshëm për dy ligje që i japin praktikisht 366 mln euro Agim dhe Ndue Kolës (ANK) si dhe Lorenc Gjikurisë, për projekte të pastudiuara dhe të fryra, nuk është vetëm një krim ndaj buxhetit, në të vërtetë vendimi i djeshëm është vrasja me borxh të panevojshëm i fëmijëve tanë”.
“Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë treguan dje se janë thjeshtë kukulla. Përndryshe ata nuk do të kishin votuar për të rrëzuar një dekret presidencial që shmangte jo ndërtimin e një rruge me rëndësi, por abuzimin me taksat e shqiptarëve”, tha Tabaku.
“Këto kontrata të dhëna me vlera të fryra, me ofertë të pakërkuar, pa tender dhe pa garë, pa vlerë fikse, pa studim teknik, me kompani që qartësisht nuk i kanë kapacitetet të cilat do paguhen nga buxheti shtetit për 10 deri ne 15 vitet e ardhshme. Projekte që si parim kanë konceptin “Të fitojnë oligarkët dhe kryeministri” janë denoncuar nga Partia Demokratike që shtatorin e vitit të kaluar si pjesë e paketës antimafia dhe ato do të hetohen imtësisht e kushdo që ka shkelur parimet kushtetuese do të mbajë përgjegjësi”, u shpreh ajo.
/gj.mima/ /a.g/























