Ballina Ekonomi

Gështenjat e gjenotipit “Puka”, 50% e prodhimit eksportohet në Itali

TIRANË, 13 shtator /ATSH/- Sipërfaqja e pemëve të bajames, arrave, lajthive dhe gështenjave në vendin tonë arrin më shumë se 136 mijë hektarë.
Në eksportet botërore, Shqipëria renditet e 9-ta për eksportin e gështenjës dhe volumi i eksporteve arrore përbën 40% të eksportit të përgjithshëm të frutave në vend. Gështenjat që rriten në zonën veriore të Shqipërisë, janë të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin plotësisht cilësinë e kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.
Prodhimi natyralisht organik i tyre në zonën e Alpeve ku ato rriten, i bën unike në shije dhe mjaft të kërkuara nga tregu.

Kukësi është një zonë e rëndësishme në prodhimin e arrorëve. Në Tropojë gjendet një masiv prej 2000 hektarësh me pemë gështenje, gjithashtu rrethet e Dibrës, Pukës, Shkodrës, Bulqizës, Librazhdit dhe Matit janë prodhues të konsiderueshëm të varieteteve të gështenjës.

Ndërsa gjenotipi “Puka”, varietet i zonës së Reçit, ka një avantazh cilësor në prodhimin e gështenjës dhe rreth 50% e prodhimit eksportohet në Itali.
Eksportet e gështenjave “Made in Albania” arrijnë çdo vit në mbi 6 mijë tonë, me një vlerë deri në 8 milionë euro.
Ndërkohë që kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet. /e.xh//a.g/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRrëzimi i dekreteve të Metës për koncesionet, Tabaku: Borxhe për fëmijët tanë
Artikulli tjetërKomandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës Rrahman Rama pjesë e Panairit të Industrisë Ushtarake në Londër