TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi sot se “në një akt të paprecedentë Presidenti u heq të drejtën legjitime qytetareve që të zgjedhin drejtuesit e tyre të pushtetit vendor thjesht e vetëm se opozita rrugore ka frikë të shkojë në zgjedhje dhe kërkon pushtet në tavolinë”.
Në fjalën e saj në Kuvend, ku po diskutohet për projektrezolutën për shfuqizimin e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta, ministrja Balluku tha se “për të mos mjaftuar gjithë rrëmuja që përpiqet të shkaktojë opozita jo parlamentare dhe balta që po i hedh imazhit të vendit ja tek përfshihet në këtë vorbull paligjshmërie, ai që duhet të ishte mbrojtës i Kushtetutës dhe ligjit, përfaqësues i unitetit të kombit, përfaqësuesi i institucionit dhe kombit, Presidenti i vendit”.
Duke folur për zhvillimet në vend, Balluku tha se “Reforma në Drejtësi ka filluar të japë rezultatet e para dhe pas ngritjes së organeve të reja të drejtësisë tashmë jemi në prag të ngritjes së Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale që do të hetojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar deri në nivelet e larta të administratës dhe politikës”.
“Këto rezultate përveçse janë përcjellë me entuziazëm të madh nga partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE janë pritur me vlerësim nga qytetarët shqiptarë, të cilët prej dekadash kanë vuajtur mungesën e një sistemi drejtësie të pavarur, efikas dhe të pakorruptuar”, – tha Balluku.
Sipas saj, reformat shtetformues të ndërmarra në vitet e para të mandatit tonë qeverisës pavarësisht vështirësive të para në implementimin e tyre tashmë janë në rrugë të mbarë dhe po prodhojnë rezultate të prekshme veçanërisht në rritjen e cilësisë, të rritjes së ofrimit të shërbimeve publike për ta.
“Në fushën e infrastrukturës një sërë veprash të rëndësishme si Rruga e Arbrit apo bypass-et e tjera që janë drejt përfundimit po ecin me ritme të shpejta dhe parashikohet të përfundojnë edhe para afateve të caktuara”, – tha Balluku./k.s/ /a.g/






















