Zgjedhjet, e drejta e pakundërshtueshme e popullit për të zgjedhur

TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Për fat të keq Presidenti i Republikës ka dëshmuar në mënyrë krejt të veçantë, një lexim ndryshe të Kushtetutës dhe të kuptimit për rolin e tij në sistemin tonë kushtetues dhe demokratik.

Kështu deklaroi sot në Kuvend ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në fjalën e tij gjatë diskutimit për projektrezolutën për shfuqizimin e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta.

“Është krejt pa kuptim, arsyetimi se “çdo lloj autoriteti mund të zhbëjë përmes anulimit, apo zhdekretimit, akte të nxjerra më parë prej tij”. Sipas një logjike të tillë, një mësues mund ta zhdekretonte notën e dhënë dikur dhe të na degdiste në klasën e parë krejt papritur, një shitës mund ta zhdekretonte kontratën e shitjes së shtëpisë dhe të na nxirrte përsëri në rrugë, ndërsa Kuvendi mund ta zhdekretonte edhe vendimin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe ta dërgonte përsëri atë tek partia e tij, e kështu me radhë”, -tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “Meta ka dëshmuar vazhdimisht një oreks shumë të madh për kompetenca, të cilat për fat të keq Kushtetuta jonë nuk mund t’ia plotësojë. Këmbëngulja e tij për të marrë rol substancial në emërimin e ministrit të Brendshëm, apo bllokada e tij e paprecedentë për të mos dekretuar ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, janë dëshmi e një kuptimi shumë të shtrembët madje dhe të rrezikshëm për të marrë kompetenca, të cilat vërtet populli shqiptar nuk ia ka deleguar atij përmes Kushtetutës”.

Sipas tij, sigurisht që janë mjaft problematike precedentët e krijuar me dekretimin e ministrave, por ajo që u tentua me zhdekretimin e zgjedhjeve ka një përmasë krejt të veçantë.

“Nuk është arsye, pra, për anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve fakti që dikush, qoftë edhe parti politike, nuk i do apo nuk është i përgatitur për to.Por me 10 qershor 2019, vetëm 20 ditë para zgjedhjeve, në mes të fushatës, shqiptarët u njohën më dekretin për anulimin e tyre, i cili shprehte vullnetin e vetëm 1 personi, pra Presidentit të Republikës sonë parlamentare”, – shtoi Lleshaj.

Ndër të tjera ministri Lleshaj u ndal edhe tek një ndër arsyet për shfuqizimin e Dekretit, krahas të tjerash, sipas Presidentit që lidhet me sigurinë kombëtare.

“Përballë një rreziku kaq serioz të pretenduar nga Presidenti, do të duhej që ai si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ta kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për ta analizuar gjendjen e sigurisë në vend. Por në vend të saj ai thjesht ka konstatuar apo ka perceptuar në mënyrë subjektive, vetë rrezikun dhe po ashtu vetë, në mënyrë të njëanshme ka gjetur përgjigjen ndaj tij, duke shpërfillur rolin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo institucioneve të tjera përgjegjëse në vend. Tentativa për ta nxjerrë diskutimin për sigurinë kombëtare jashtë institucioneve kushtetuese dhe për shndërrimin e kësaj teme në një argument të rëndomtë politik, është shumë problematike”, – tha Lleshaj. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.