TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Europian shpreh mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE ndërsa Reformën në Drejtësi e konsideron si të paprecedentë.
Kjo u theksua gjatë takimit që po zhvillohet në Bruksel ku të pranishëm janë edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Në Bruksel po zhvillohet takimi për ecurinë e implementimit të kapitujve 23-24 që lidhen me drejtësinë dhe rendin në vendin tonë.
Lajmi është bërë i ditur edhe nga vetë Grupi Socialdemokrat në PE. Ata vlerësuan arritjet në kuadër të implementimit të Reformës në Drejtësi, duke e konsideruar si një reformë e paprecedentë që e afron vendin me Bashkimin Europian.
“Me të ftuarit tonë nga Tirana, po debatojmë për progresin e Shqipërisë më rrugën drejt Bashkimit Europian, përfshirë këtu dhe reformën e paprecedentë në drejtësi. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian”, thuhet në njoftimin e Grupit Socialdemokrat në Parlamentin Europian. /a.g/























