TIRANË, 24 maj /ATSH/ Progresraporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që ndodhen në procesin e integrimit në BE, do të publikohet më 29 maj. Publikimi do të ndodhë ashtu siç ishte planifikuar.
Faqja e internetit “European Western Balkans” konfirmon publikimin e progresraportit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Më 29 maj do të jepen vlerësimet e Komisionit Europian për punën e kryer nga Shqipëria në realizimin e 5 prioriteteve kyçe.
Raporti për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të prezantohet nga Komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn. Takimi do të mbahet vetëm disa ditë pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
“European Western Balkans” thotë se kishte pasur të dhëna për shtyrjen e progresraportit, për shkak të periudhës së shkurtër midis 29 majit, kur pritet publikimi i progresraportit dhe 18 qershorit kur takimi i ministrave të vendeve anëtare do të marrë vendimin për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Por, kjo duket se nuk ka ndodhur pasi sipas faqes “European Western Balkans”, raporti i progresit do të publikohet pikërisht më 29 maj, sipas planifikimit.
Vendimi për negociatat pritet të artikulohet vetëm pak ditë më vonë, më 18 qershor. /j.p/























