Ballina Aktualitet

Basha për BBC World: Nga protestat asnjë polic i vetëm nuk u lëndua, Shqipëria jo në BE me gënjeshtra

TIRANË, 20 maj /ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se vendet anëtare të BE kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm.

Në një intervistë me gazetarin e BBC World, Julian Worricker, Basha tha se “Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet”.

Sipas tij, BE është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. “Kjo duhet të jetë edhe një këmbanë alarmi për vetë institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqendrohen në problemet e vërteta, me të cilat përballen vendi”, tha ai.

I pyetur për protestat e 3 muajve të fundit dhe për dhunën që ka pasur në protesta, Basha tha se “PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua –  është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale”.

I pyetur se çfarë duhet të ndodhë me ata që janë përgjegjës për dhunën, ai theksoi se, “falë Zotit, asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeministri”.

Lidhur me akuzat e opozitës, Basha tha se dy raste të hetimit nga prokurorët anti-mafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime për vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017.

“Disa nga këto përgjime janë publikuar nga ‘Zëri i Amerikës’ dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane ‘Bild’. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri”, tha kreu i PD.

/gj.mima/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNJU JORK – Trump: Një luftë me SHBA do të ishte fundi zyrtar i Iranit
Artikulli tjetërMeta: Të punojmë për integrimin dhe arsimimin e jetimëve