TIRANË, 12 prill/ATSH/ “Institucionet e pavarura dhe Kushtetuese duhet të përmirësojnë me tej punën e tyre, sepse qëllimi final është cilësia e produktit që ofrojmë për qytetarët”, – deklaroi sot kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Në kuadër të forcimit të rolit monitorues të Kuvendit të Shqipërisë, të gjitha institucionet e pavarura raportuan sot lidhur me realizimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe plotësimin e detyrimeve që kanë ndaj ligjit, Kushtetutës dhe qytetarëve.
I pranishëm në këtë tryezë, Manja e vlerësoi si një raport llogaridhënie analizën e punës 1-vjeçare të këtyre institucioneve me Kuvendin, nga i cili kanë marrë mandatin.
“Për herë të parë iu kthye dinjiteti Parlamentit me raportimin në Kuvend të institucioneve të pavarura dhe Kushtetuese. Po ashtu, qeveria riktheu funksionin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke e vlerësuar maksimalisht raportin e saj në marrëdhënie me Parlamentin”, – tha Manja.
Manja tha se nga 21 institucione të pavarura dhe Kushtetuese, 16 prej tyre raportojnë në Komisionin e Ligjeve. “Sivjet ka një përmirësim të dukshëm në mënyrën e raportimit të këtyre institucioneve në Kuvend. Në tërësinë e institucioneve që raportojnë, nga 16 të tilla, sivjet vetëm 4 nuk kanë raportuar, ndërkohë që i kanë depozituar raportet”, – tha Manja.
Megjithë arritjet, patjetër që ka probleme, tha Manja, duke kërkuar që raporti i këtyre institucioneve me Kuvendin mos të jetë thjesht formal dhe rutinë. “Deri tani kërkonin mbështetje buxhetore dhe numër më të madh punonjësish. Ky ishte raporti që kishim para në Komision. Ju duhet të ngrini problematikat dhe të na dorëzoni edhe një analizë risku në raportet tuaja. Për ato që është bërë mirë do të merrni meritat, por duhet të thoni edhe çfarë nuk keni bërë mirë nga detyrat që ju ofron ligji dhe rezoluta e Kuvendit”, – u shpreh Manja. /a.g/























