TIRANË, 12 prill /ATSH – I. Vata/ – Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula ka kërkuar plotësimin e stafit të institucionit me 60 vetë.
“Nuk dua të zhgënjej asnjë të përndjekur politik, apo institucion në kthim përgjigje dhe përmbushjen e detyrimit ligjor që ka institucioni”, ka deklaruar sot Genta Sula, ndërsa ka kërkuar plotësimin e stafit të institucionit në takimin që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi sot me drejtuesit e 21 institucioneve të pavarura, të cilat raportojnë në Kuvendin e Shqipërisë.
Sula tha se kjo është një kërkesë e përsëritur. “Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është një institucion i ri, më duhet ta them që megjithëse Parlamenti ka vendosur të mbështesë këtë institucion me 60 veta, akoma nuk e kemi plotësuar strukturën tonë dhe jemi me gjysmë stafi”, – tha ajo.
Në vijim, Sula tha se “ne kemi zbatuar rekomandimet e rezolutës, por kjo mund të reflektohet në cilësinë e shërbimeve që bëjmë, konkretisht në kohëzgjatjen e dhënies së përgjigjes”.
“Nuk dua që të zhgënjej asnjë të përndjekur politik. Kërkoj që sa më parë të plotësohet stafi, ashtu siç është vendosur nga Parlamenti”, – ka theksuar ajo. /j.p/























