Ballina Flash

Punime dinamike për shëtitoren e dytë të Gjilanit

PRISHTINË, 12 prill /ATSH/ – Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës së punimeve në ndërtimin e shëtitores së dytë në pjesën e jugut, është shprehur i kënaqur me dinamikën e punimeve atje.

“Jam i kënaqur me dinamikën e punimeve dhe tashmë ky vend po merr pamje krejt tjetër. Ky është segmenti i cili e ka zgjidhur problemin kryesor për banorët e lagjeve ‘Deremahallë’, Lagjes së Balecit e Dardanisë, pasi nga kundërmimet e kanë pasur jetën e padurueshme. Do të vazhdojmë punën në ndërtimin e shëtitores edhe në drejtim të ‘Livadheve të Akllapit’ dhe në drejtim të lagjes ‘Dardania’. Ne do të vazhdojmë logjikën e njëjtë të zbatimit të projektit për mbulimin e shtratit të lumit deri në fund, e që nënkupton edhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, duke i dhënë zgjidhje këtij problemi”, shtoi ai.

Haziri paralajmëroi se këtë vit do t’i japin zgjidhje edhe projektit të lumit Stanishorka, sikurse edhe lumit Morava.

“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është investitori më i madh, ndërkaq komuna e Gjilanit së bashku me Qeverinë e Republikës merr pjesë me financa drejtpërdrejtë në këto projekte”, përfundoi kreu i Gjilanit. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAutoriteti i Dosjeve, Sula kërkon plotësimin e stafit
Artikulli tjetërAksi Lin-Pogradec, kyç për zhvillimin e turizmit