Ballina Aktualitet

Asnjë vend nuk ka bërë sa çka bërë Shqipëria përpara hapjes së negociatave

TIRANË, 11 prill /ATSH/ – “Shqipëria i ka bërë të gjitha ato që duhet të bënte për çeljen e negociatave”.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, në paraqitjen në Kuvend të raportit për vitin 2018 lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“A do të çelen apo jo negociatat në qershor apo këtë vit? Kjo është një pyetje që duhet ti japë përgjigje Këshilli Europian, por përgjigja që mund të japim ne bazuar në fakte dhe në atë që është gjykatësi objektiv i këtij procesi Komisioni Europian është se po Shqipëria i ka bërë të gjitha ato që duhet të bënte për çeljen e negociatave”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “besoj siç kam besuar edhe vjet se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, ashtu si unë e them pa asnjë drojë me zë të lartë, atë që gjithë miqtë dhe partnerët edhe ata që janë skeptikë dhe e thonë me zë të ulët kur takohemi, se asnjë vend përpara hapjes së negociatave, nuk ka bërë sa ç’ka bërë Shqipëria për hapjen e negociatave”.

Duke iu referuar një fakti të thjeshtë, Rama tha se “si ka mundësi që është e shkruar e zeza mbi të bardhë në disa raporte, në disa deklarata, por është e dëgjuar vazhdimisht në çdo bisedë nga ata që janë marrë drejtpërdrejt me këtë proces që rajoni përfshirë edhe vendet që janë në negociata duhet të marrin modelin e Reformës në Drejtësi që po bën Shqipëria”.

Pra, vijoi Rama, ne kemi krijuar një model që qenka i vlefshëm për të gjithë rajonin, ndërkohë që të tjerët negociojnë ne duhet të presim akoma çeljen e negociatave.

“Pritja jonë për çeljen e negociatave, kjo është pjesa me e rëndësishme për ne si qeveri, si shumicë nuk lidhet me çfarë kemi bërë ne, lidhet me sa janë gati të tjerë të përballojnë betejën e brendshme politike në disa vende në Francë, në radhë të parë kundër zgjerimit. Ndërkohë që në Francë drejton një president që është kampioni proeuropeist sot në të gjithë Europën. Sidoqoftë kur vjen puna tek zgjerimi, tek çelja e negociatave me Shqipërinë, edhe aty duket sikur hanë arra kur flitet”.

Kryeministri Rama tha se “është e mirëkuptueshme në fund të fundit janë interesa që nuk përputhen në një moment të caktuar të natyrës politike, sepse dihet se nuk është sekret. Në diskutimet e Këshillit Europian ata vijnë si bartës të interesave të tyre dhe në momente të caktuara, interesat e brendshme prevalojnë mbi strategjinë e madhe dhe mbi mirëkuptimin e nevojshëm mbi atë strategji, por ama për sa na takon ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë detyrën”. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBiblioteka Kombëtare, klube leximi për të rinjtë
Artikulli tjetërSigurimi bujqësor për herë të parë për fermerët e Kosovës