2 mijë vende të lira pune për studentët praktikantë

TIRANË, 8 prill/ATSH/- Janë rreth 2 mijë studentë që kanë realizuar praktikën e punës tremujore gjatë 3 viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit në kuadër të Paktit për Universitetin kemi arritur të koordinojmë mbi 2 mijë vende të lira të punës duke thyer rekordin e pozicioneve të hapjes së praktikave.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini në hapjen e thirrjes së IV për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

“Është viti i dytë që koordinimin e programit e bën Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por është viti i katërt që ky program realizohet në Shqipëri. Zhvillimi profesional i të rinjve është prioriteti ynë dhe po përpiqemi vazhdimisht që të gjejmë forma të reja për ta zgjeruar gamën dhe numrin e pozicioneve të lira për praktikat e punës”, nënvizoi Shahini.

Sipas saj, një nga praktikat e vazhdueshme të MAS është që të mbështesë në mënyrë të vazhdueshme kalimin nga arsimi në tregun e punës.

“Programi kombëtar i praktikave të punës mishëron më së miri vlerat dhe arritjen e këtij objektivi. Për tre muaj bëhet një praktikë e punës pranë institucionit që ka zgjedhur studenti pastaj merret një certifikatë në përfundimin e tre mujorit dhe një pjesë e studentëve, të cilët kanë treguar një ambicie më të madhe për të vazhduar për të punuar aty ose kanë qenë më të suksesshëm gjatë praktikës së punës fitojnë një kontratë njëvjeçare për punësim pranë institucionit ku kanë kryer praktikën e punës”, – theksoi Shahini.

Ministrja Shahini u shpreh se “kemi patur rreth 3 mijë aplikantë në total dhe rreth 1 mijë janë sistemuar tani. Gjatë javëve në vijim do të sistemohen një pjesë tjetër, pasi janë 2 mijë pozicione të lira të praktikës së punës”.

Sipas saj kryesisht praktikat e punës i kemi siguruar në institucionet publike, si ato të nivelit qendror, ashtu edhe ato të nivelit vendor, kemi një numër më të vogël tek institucionet private.

Për ne, vijoi ajo, është një sfidë që të njoftojmë sa më shumë kompani për përfitimet që ata kanë ndaj hapjes së vendeve për studentët.

“Praktika e punës nga studentët ka sjellë një frymë të re në institucionet tona dhe realisht ka kontribuar në modernizimin e administratës publike”, shtoi Shahini.

Po ashtu ministrja e vuri theksin tek programi “punetembare.al”, ku falë tij para dy muajve janë punësuar 460 studentë ekselentë, 300 me diplomë master dhe 160 me bachelor”.

“Prapë gjatë vitit do të hapet konkursi i ri për programin që punëson studentët me kontrata njëvjeçare. Paralelisht po punojmë për cilësinë e arsimit të lartë”, tha Shahini./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.