Punësimi i ekselentëve, baza e transformimit të administratës

TIRANË, 8 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vuri në dukje mundësinë historike që është krijuar sot për futjen drejtpërdrejt të studentëve më të mirë në administratën shtetërore.

Në një takim të organizuar për hapjen e praktikave të punës, Rama tha se “kjo është një rrugë pa kthim, sepse vendet e punës në shtet janë vënë tashmë në dispozicion të atyre që kanë mbaruar universitetin me 9 dhe 10”.

“Shumëkush në vijimësi ka menduar dhe është krijuar një lloj mendësie që mundimi dhe rezultatet e marra nuk vlejnë, sepse në fund të ditës, dikush tjetër që nuk ka të njëjtat merita, por ka disa mekanizma të tjerë njohjeje dhe lidhjesh partiake e me radhë, që merr vendin e punës në shtet”, – tha Rama.

Marrja e një vendi pune sot në administratë, sipas Ramës, është në kompeticion mes ekselentëve dhe jo të tjerëve.

“Kjo krijon kushtin që çdokush që ka mbaruar me 9 dhe 10, të ketë mundësi zgjedhjeje, në varësi të rezultatit dhe të hyjë në administratën publike pa konkurs, duke pasur 1 vit kontratë për t’u përgatitur që vendin e punës të marrë pa konkurs, ta ruajë përmes konkursit”, – tha Rama.

Kryeministri siguroi se “ky proces do të vazhdojë duke rihapur thirrjet për aplikime”. “Është bërë një thirrje e re së fundmi, e kështu me radhë, të gjitha vendet e punës të lira në shtet, si në shërbimin civil edhe në administratën tjetër shtetërore, vendet e punës do t’i kenë në dispozicion më të mirët”, – tha Rama.

Kjo, sipas tij, “vendos bazën e një transformimi historik për administratën, sepse me kalimin e disa viteve, ata fitojnë eksperiencën e nevojshme dhe fakti që janë aty për shkak të meritës, i bën mbrojtës dhe garantues të meritës së të tjerëve”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.