TIRANË, 5 prill /ATSH/ – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediet është shprehur se KLSH ka konfirmuar se vitin e kaluar, 1.7 miliardë euro janë keqpërdorur.
“Dy javë më parë, raporti i OKB-së nënvizonte problemin e korrupsionit që ka kapluar qeverisjen dhe shoqërinë tonë. Raporti i DASH, ambasadorja gjermane dhe biznese shqiptare vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për korrupsionin dhe lidhjet e bizneseve me qeverinë në përfitimin e tenderave publikë”, tha Tabaku.
Së fundi, ka shtuar ajo, “edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit fakton se vitin e kaluar qeveria ka keqpërdorur me qëllim 1.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, 923 milionë euro është dëmi ekonomik nga të ardhurat e pambledhura, që lidhet direkt me korrupsionin, ndërkohë që janë keqshpenzuar në tendera dhe jo vetëm, 587 milionë euro nga taksat e shqiptarëve”.
“Sipas të dhënave nga Buletini i prokurimeve publike 11 oligarkë përmes 19 kompanive kanë fituar në total 2100 tendera dhe katër deputetë të qeverisë kanë fituar 410 tendera dhe koncesione”, tha ish-deputetja e PD.
“PD ka vullnetin dhe planin për të nisur një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe për ta fituar atë, jo vetëm se korrupsioni është pengesë në procesin e integrimit, por dhe si arsyeja e vetme pse sot të rinjtë janë pa punë, pse rrogat dhe pensionet nuk rriten, pse nuk ka investime në rrugë, shkolla e spitale. PD beson se një ekonomi e lirë tregu, ku të gjithë garojnë të barabartë, me taksa të ulura e pa burokraci do të çlirojë kapitalin, do të rrisë investimet në ekonomi, do të hapë vende të reja pune dhe mundësi për çdo shqiptar punëtor e të ndershëm”, u shpreh Tabaku.
/gj.mima/ /a.g/





















