FOTO/ Berat, restaurim i afreskut në kishën e Shën Mitrit

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ – Ikonat dhe afresket në vendin tonë tashmë po restaurohen nga specialistët për të qenë sa më të mirëmbajtura pasi ato tregojnë vlerën e besimeve fetare në vendin tonë dhe tashmë po kthehen në atraksion të turizmit religjoz.

Në Kishën e Shën Mitrit, në lagjen Kala, Berat specialistët po kryejnë një ndërhyrje emergjente në afreskun e kësaj kishe.

Specialistët e sektorit të artit të DRKK-Berat prej disa ditësh janë duke punuar në afreskun e kishës së Shën Mitrit. Ndërhyrja konsiston në konsolidimin e shtresës së suvasë me shtresën përgatitore në pjesën e hajatit. Një punë sa delikate dhe e domosdoshme për mbrojtjen e afreskut në kushtet e vështira të temperaturave të ulëta dhe lagështirës të muajve të dimrit.

Me pasionin, punën e imtësishme dhe dashurinë e padiskutueshme për trashëgiminë specialistët e DRKK Berat do bëjnë të mundur restaurimin e këtij afresku për ta shndërruar si vend atraksioni në ”Rrugët e Besimit” për vizitorët vendas dhe të huaj. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.